Quantcast
Channel: Galeria – PORTALB
Viewing all 8851 articles
Browse latest View live

Në Spanjë janë zbuluar pesë tonë kokainë të fshehura në banane, 15 të arrestuar (FOTO)

$
0
0

Një zyrtar spanjoll ka bërë të ditur se policia e këtij shteti ka arrestuar të paktën pesëmbëdhjetë veta, në një operacion anti-drogë, me ç’rast autoritetet kanë konfiskuar më shumë se pesë tonë kokainë, të fshehura në një dërgesë bananesh.

Agjentët e Gardës Civile spanjolle dhe policisë së këtij shteti kanë marrë pjesë në operacionin e të së mërkurës në qytetin jugor të Malagës, i ka thënë një zyrtar agjencisë “The Associated Press”, transmeton Koha.net.

Në Spanjë zbulohen pesë tonë kokainë të fshehura në banane, 15 të arrestuar

Dhjetëra vetura të policisë janë parë në një park industrial në Malaga, ku është zbuluar droga, i kanë thënë dëshmitarët gazetës lokale, “Diario Sur”.


Besa Kokëdhima ngre temperaturat në klipin e fundit (VIDEO)

$
0
0

Prurjet e reja dhe krijimet më të mira pjesa më e madhe e artistëve ja rezervojnë stinës së   verës. Por Besa Kokëdhima sapo “përmbysi” ligjin e pashkruar të këngëtarëve, duke na sjellë detin, rërën, pishinën, rrobet e banjës bashkë me disa ritme kaliente, këtë fund tetori, shkruan Bordo.al. 

“Amor” është kënga më e re e këngëtares Kokëdhima, tingujt e së cilës do të mbushin klubet fundjavave të dëfrimit. Me tekst të ndërthurur në gjuhët spanjisht dhe shqip, duket se Besa ka përdorur trendin e kohëve të fundit për të përthithur pse jo dëgjues nga e gjithë bota.

 

Si ju duket kenga?

Këngëtarja vjen me krijimin e ri pas klipit të saj të fundit të publikuar një vit më parë në bashkëpunim me reperin Elinel.

Këngëtarja e hitit “Nothing Compares to You” u bë myslimane (VIDEO)

$
0
0

Këngëtarja Sinead O’Connor vendosi të pranojë Islamin, dhe ka një emër të ri, Shuhada Davitt.

Davitt në Twitter ka thënë se nuk është më një katolike. Sinead ose tani Shuhada ka publikuar edhe fotot ku ajo duket e mbuluar.

“Unë do të doja me krenari të njoftoj se jam bërë myslimane. Ky ishte një përfundim i natyrshëm i udhëtimit tim inteligjent teologjik. Të gjithë librat e shenjtë të botës çojnë në Islam. Unë gjithashtu do të ketë një emër të ri. Do të jetë Shuhada”, ka shkruar ajo në Twitter.

Shuhada ka publikuar edhe video duke mësuar Ezanin, transmeton KosovaPress.

“Kjo është përpjekje e ime e parë në thirrjen për namaz. Disa fjalë ende i them gabimisht, pasi ndikohem nga emocionet”, tregon ajo.

Këngëtarja e famshme ishte në rikuperim psikik në SHBA vitin e kaluar.

Ndryshe, këngëtarja për publikun është e njohur me hitin e saj botëror “Nothing Compares to You”.

 

Shkup, “Viola – Violissimo” dhe artistë amerikanë sjellin edhe koncertin e dytë (FOTO)

$
0
0

Të dielën, më 28 tetor, me fillim prej ora 20:00 në Sallën Kamertale të Filarmonisë së Maqedonisë do të zhvillohet koncerti i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale, transmeton Portalb.mk.

Në koncert do të marrin pjesë artistët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ronald Carbone – Violë, Frank Dodge – Violonçelo dhe Derek Han – Piano (SHBA, nga Kosova vjen Sihana Badivuku – Violinë dhe nga Maqedonia Blerim Grubi – Violë.

Në kuadër të koncertit do të shfaqet edhe Ansambli i Violës “ArsKosova”.

Koncerti i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale u mbajt në Çifte Hamam të Çarshisë së Shkupit, dhe në të morën pjesë pianisti nga Franca,  Pierre-Laurent Boucharlat, violinistja nga Kosova, Sihana Badivuku dhe violisti nga Maqedonia, Blerim Grubi.

Pierre-Laurent Boucharlat,, Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi

“Monstra”, në Opel Omega ka pasur 4-5 persona, por MPB ka gjetur gjurmë biologjike vetëm nga Alil Demiri

$
0
0

4-5 persona janë vozitur me veturën “Opel Omega”, por prej 4 profileve të ADN-së nga gjurmët biologjike, vetëm njëri është përshtatur me njërin nga të akuzuarit, konkretisht me të akuzuarin Alil Demiri. Tre profilet e tjera s’kanë mundur të identifikohen për shkak të koncentrimit të dobët të qelizave apo tretjes së tyre – tregon ekspertiza e gjurmëve biologjike për rastin “Monstra” e kryer nga MPB, njofton Portalb.mk.

Ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët i kanë bërë analizat e gjurmëve biologjike, sot në Gjykatën Penale të Shkupit i kanë elaboruar mënyrat dhe gjetjet e tyre nga gjurmët e marra nga vetura “Opel Omega”, e cila sipas akuzës është gjetur në afërsi të Liqenit të Smillkovës dhe me të njëjtën kanë lëvizur të akuzuarit pas vrasjes së pesëfishtë më 12 prill të vitit 2012-të.

Pavlina Daneva-Stefanovska, inxhiniere e biologjisë, shpjegoi se ajo nga vendi i ngjarjes i ka marrë gjurmët biologjike, të cilat më pas të njëjtat janë dërguar në laborator për analiza të mëtutjeshme.

“I kam marrë gjurmët biologjike nga vetura “Opel Omega”, pasi që e kanë sjellur në MPB më 13 prill të vitit 2012, gjegjësisht në një garazh. Vetura ishte me dyer të mbyllura, pa çelës, pra mund të hapeshin dyert. Pas kontrollit nuk ka pasur gjurmë të dukshme (gjak, apo të ngjashme, andaj kemi marrë gjurmë nga disa pjesë të veturës. Gjurmët biologjike janë marrë nga ulëset e veturës, nga mbështetëset e kokës së ulëseve, dorëzat e dyerve, timoni, ndërruesi i shpejtësive, çelësi nga brava për të ndezur makinën, por edhe nga kapaku i rezervoarit të ujit. Në ulëset e pasme të veturës është gjendur një çantë e kuqe me shenjë të “Malboros”, edhe prej saj kemi marrë gjurmë biologjike. Në pjesën e përparme kemi gjetur dy qime, por të njëjtat kanë qenë prej kafshëve”, tha Daneva-Stefanovska.

Siç tha ajo, pas pas kryerjes së analizave të ADN-së janë fituar katër ADN profile, prej të cilëve 3 kanë qenë prej personave meshkuj dhe 1 ka qenë i përzier (mashkull dhe femër) që nënkupton që në veturë ka pasur mundësi të jenë 5 persona.

“Të gjitha gjetjet janë futur në bazën e MPB-së për të krahasohen dhe prej të njëjtës doli që një person i akuzuar i përshtatet plotësisht njërit profil të ADN-së”, tha ekspertja.

Pala mbrojtëse e pyeti nëse gjatë mbledhjes të të dhënave kanë gjetur ndonjë monedhë dhe nëse të njëjtat i kanë analizuar, ajo tha se nuk kanë parë dhe nuk kanë analizuar diçka të tillë.

E pyetur nëse ka pasur licencë kur i ka bërë këto analiza, ajo tha se as ajo, por as të tjerët nuk kanë pasur licencë në atë kohë, pasi që të njëjtat  kanë marrë në vitin 2015.

Pas shpjegimit të saj, eksperti tjetër, Robert Janevski, doktor shkence i gjenetikës, i cili i ka bërë analizat laboratorike pasi që ia ka sjellë kolegia nga terreni dhe tha se njëri nga profilet e ADN-së ka qenë i Alil Demirit, ndërkaq 3 profilet e tjera nuk kanë qenë të ngjashme me profilet e ADN-së së të akuzuarve tjerë, transmeton Portalb.mk.

Siç tha ai, profilin e ADN-së të Demirit e kanë pasur më lehtë ta gjejnë, pasi që paraprakisht Demiri ka qenë i regjistruar në regjistrin e personave të dyshuar në MPB dhe nga një rast paraprak ia kanë marrë gjurmët biologjike dhe tani vetëm kanë bërë krahasim dhe e njëjta ka rezultuar të jetë e njëjtë, ndërkaq profilet tjera nuk është mundur të konstatohet për shkak të koncentrimit të ulët të qelizave, gjegjësisht që siç tha ai për shkak të “prekjes apo fërkimit të dobët me objektin”.

I pyetur nëse mund të manipulohet me rezultatet nga analizat e ADN-së, ai tha se për atë bëhen kontrolle dhe ekzistojnë proces verbale, ndërkaq vërtetësia është e saktë dhe nuk mund të bëhen gabime.

“Vlerësoj se gjatë analizave laboratorike nuk mund të manipulohet profili i ADN-së ose të bëhet gabim, pasi që ka proces verbal. Metodat dhe aparaturat janë në MPB janë me standarde botërore dhe vazhdimisht përditësohet”, tha Janevski.

Pala mbrojtëse dyshon në montimin e gjurmëve biologjike

Pas mbarimit të seancës, familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari, deklaroi se është e mundur që të jetë marrë gjurmë biologjike nga ndonjë automjet tjetër që ata kanë bërë ekspetizë dhe më pas të kenë thënë se gjurmët janë marrë prej te Opel Omega.

“Si është e mundur që në një veturë të thuhet se kanë qenë tre apo më tepër persona të cilët janë të akuzuar dhe nuk është gjetur ADN-ja e të tjerëve, por vetëm e Alil Demiri. Kjo do të thotë se si i përmende termet eksperti multiplikim ose shumëzim dhe degradim. Pra është e qartë se ka mundësi që nëpërmjet shumëzimit në atë vend ku e kanë gjetur ADN-në e Alil Demirit dhe e kanë pasur për barazim, pra atë ADN e kanë pasur të plotë nga një rast tjetër. Pra 5 vetura janë marrë nga këto të akuzuarit dhe në ato pesë vetura te secila ka mundur të jetë ADN-ja apo gjurma nga djersa apo qelizat epiteliale.  Pra ka qenë e mundur që të jenë edhe në veturat tjera dhe thjeshtë të mund të thuhet këtu. Paramendo e cila një qelizë nuk shihet me atë shihet me mikroskop të rezolutës së lartë ta identifikojë, dhe nëse ka pasur djersë, prekje apo fërkim me mjetin që është gjetur ADN-ja, duhet të ketë më shumë – pse është fshehur kaq vite vetura, pse e përdor fjalën ai degradim – apo koncentrim shumë i vogël i materialit. Pra, a është e mundur vetëm një qelizë të jetë pas fërkimi, ku në një milimetër kub mund të gjesh një milion qeliza”, thotë Ajdari.

Seanca e radhës vazhdon më 12 dhe 19 nëntor.

LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit (FOTO)

Ndryshe, paraprakisht, prokurorët, trupi gjykues, por edhe të akuzuarit dhe opinioni kanë marrë pjesë në ekspertizën publike që i është bërë veturës “Opel Omega” që sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë lëvizur me të njëjtën pas vrasjes. Tekniku i MPB-së,  pasi e hapi veturën, vërtetoi se është po ajo e njëjta që është gjetur dy ditë pasi ka ndodhur vrasja. Vetura është lejuar që të shihet pasi që lënda është në rigjykim. Në gjykimin e parë, palëve nuk u është lejuar që ta shohin veturën, por i kanë parë vetëm fotografitë.

Në seancat paraprake, ka dëshmuar dëshmitari i koduar “E1” dhe 3 dëshmitarë tjerë. Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë dëshminë e dëshmitarit “E1” duke thënë se ai gënjen.

LEXO: “Monstra”, natën e vrasjes dëshmitari “E1” ka qenë në Liqenin e Smillkovës (VIDEO)
LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit (FOTO)
LEXO: Monstra, familjari i të vrarëve: E kam fotografinë e një agjentit që i është gjetur telefoni në veturën “Opel”
LEXO: Monstra: vrasësi është vozitur me veturën Opel, avokati thekson: dëshmitë me mangësi
LEXO: “Opel”-i është vërejtur edhe më herët afër vendit të vrasjeve
LEXO: Monstra: Ekspertët kanë gabuar gjatë ekspertizës
LEXO: ‘Monstra’- Dëshmitari: Vetura e gjetur i takon policisë
LEXO: Detaje nga dëshmitë në “Monstra”: natën e kobshme, 3 peshkatarë u panë me një person me pushkë automatike
LEXO: Rasti “Monstra”, dëshmitari Bekir zbuloi atë që s’e thanë dëshmitarët Memedov dhe Nesim

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Tërmetet në Greqi, janë ndjerë edhe në Maqedoni (VIDEO)

$
0
0

Tërmetet që dje e përfshinë Greqinë, janë ndjerë edhe në Maqedoni, njoftoi Rrjeti Sizmologjik i Republikës së Maqedonisë në kuadër të Fakultetit Matematik – Natyror, transmeton Portalb.mk.

Dje janë regjistruar disa termet, të cilat kanë qenë 550 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

Në Greqi, tërmeti më i fuqishëm ka qenë në ora 00:54 të ditës së sotme, me 6.8 ballë të Shkallës së Rihterit.

Të gjithë golat e Messit kundër Realit në Camp Nou (Video)

$
0
0

Klasikja Barcelona-Real Madrid do të luhet të dielën në orën 16:15. E veçanta e kësaj superpërballjeje është se për herë të parë në 10 vite nuk do të jenë në fushë Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi, transmeton Top Channel. 

Portugezi nuk luan më për Realin, ndërsa argjentinasi u dëmtua në bërryl përpara disa ditësh.

Amendamentet kushtetuese të hënën në Kuvend, sfidohen me tre procese të reja

$
0
0

Pas 10 ditësh përpilim, amendamtetet kushtetuese do të dorëzohen të hënën në Kuvendin e Maqedonisë. Nisja e procedurës për ndryshim kushtetuese sjellë me vete edhe tre procese të reja: formimin e Komisionit për Pajtim Nacional dhe formimin e grupit paralamentar, por i paqartë mbetet fati i “amendamentet për çështjen shqiptare”, njofton Portalb.mk.

Nga Qeveria thonë se ato do të jenë pjesë e pakos, kurse opozita shqiptare është e ndarë në qëndrime se: “A do ta kushtëzojnë miratimin e marrëveshjes së Prespës me amendamentet e çështjes shqiptare?”.

Nga Qeveria e Maqedonisë njoftuan se amendamentet nuk janë dorëzuar, për shkak se nuk janë përpiluar.

“Qeveria nuk do të dorëzojë amendamente në Kuvend. Procesi për përpilimin ende është në rrjedhë, duhet të presim”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë, duke shtuar se një gjë e tillë pritet të ndodhë të hënën.

Kjo demanton deklaratën e deputetit të Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Aleksandar Kiracovski, të dhënë për media ku thotë: “se disa amendamente do të dorëzohen të premten në Kuvendin e Maqedonisë”.

Amendamente, deri te Qeveria e Maqedonisë ka propozuar edhe partia opozitare shqiptare Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami, të cilat kanë të bëjnë me çështjen shqiptare në Maqedoni, për të cilën nga Qeveria e Maqedonisë thanë se janë pjesë e pakos.

“Amendamentet që dje u dorëzuan nga Lëvizja BESA i kemi pranuar, dhe të njëjtat janë pjesë e pakos së ndryshimeve kushtetuese. Procesi ende është në rrjedhë. Se a do të shqyrtohen, për këtë duhet të pyeten partitë politike në Kuvend”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë.

Në lidhje me këtë, analistët kanë vlerësuar se “nuk është momenti i duhur për të parashtruar amendamente për çështje shqiptare”.

Bilall Kasami

Bilall Kasami

Për këtë, lideri i njërit fraksion të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka thënë se nëse nëse nuk merren parasysh amendamentet e propozuara nga ata, Qeveria vetë do ta mbajë përgjegjësinë për dështimin e mundshëm të votimit për ndryshimet kushtetuese.

“Në qoftë se qeveria nuk i merr parasysh kërkesat plotësuese të partive opozitare me arsyetime të paqëndrueshme procedurale, atëherë edhe partive të papërfillura opozitare ju pamudësohet të jenë pjesë e proçeseve të rëndësishme drejt integrimit në NATO dhe BE”, thuhet në reagimin e Kasamit.

Por me kushtëzimin e miratimit të marrëveshjes së Prespës nuk pajtohet partia shqiptare tjetër opozitare, Aleanca për Shqiptarët (ASH) e cila kërkoi trajtim të barabartë të gjuhës shqipe dhe maqedonase në kuadër të Kushtetutës së Maqedonisë dhe vendosjen e marrëveshjes së Ohrit në preambulën e Maqedonisë.

Arben Taravari

Arben Taravari

“Minim i procesit është amnistia, dhe jo kërkesat tona. Nuk është tabu të flasim se gjuha shqipe të jetë kategori kushtetuese. Ne asnjëherë nuk kemi kushtëzuar. Mendojmë se ky është momenti kur mundemi t’i bindim deputetët që t’i bëjnë këto ndryshime. Edhe Zaev në vitin 2016 premtoi se gjuha shqipe do të jetë kategori kushtetuese dhe mori më shumë vota shqiptare se ne. Mendoj se edhe te LSDM edhe te BDI ka vullnet të mirë t’i pranojnë amendamentet tona”, tha sekretari i ASH-së, Arben Taravari në emisionin “Top Tema”.

Përpilimi i amendamenteve vjen pas miratimit të procedurës për hapjen e kushtetutës së Maqedonisë, më 19 tetor të 2018-s në Kuvendin e Maqedonisë. Miratimi u mundësua me votën “për” të 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, për të cilët në Kuvendin e Maqedonisë do të formohet Komision për Pajtim Nacional dhe grup parlamentar, pasi që u përjashtuan nga partia.

LEXO: Tetë deputetët e ish-VMRO-së do të veprojnë në mënyrë të pavarur në Kuvend

Çfarë pas përpilimit të amendamenteve?

Pas përpilimit të amendamenteve, të njëjtat dorëzohen në Kuvenin e Maqedonisë, dhe çdo amendament nëpërmjet së cilëve do të intervenohet në kushtetutë, do të duhet që të kalojë nëpërmjet kontrollit  Komisionin Juridik-Ligjvënës, në përbërje të Sonja Mirakovska – kryetare, Frosina Remenski – zëvendëskryetare, dhe anëtarëve: Kostadin Kostadinov, Betiane Kostov, Sashko Kostov, Beti Naumovska, Ejup Alimi, Vesel Memedi, Zoran Ilioski, Nada Cipusheva, Vesna Pemova, Pavlinçe Çestojnova, Ivan Stoilkoviq, Nevenka Stamenkovska dhe Fadil Zendeli.

Kurse zëvendësanëtarë janë: Enes Ibrahimi, Mira Sojeçevska, Ilija Nikollovski, Mirosllav Jovanoviq, Samka Ibraimovski, Agim Shaqiri, Surija Rashidi, Bllagica Llasovska, Emilija Aleksandrova, Nikolla Micevski, Ivan Ivanov, Liljana Popovska, Dafina Stojanovska dhe Afrim Gashi.

Komisioni për Çështje Kushtetuese

Amendamentet do të shqyrtohen dhe në Komisionin për Çështje Kushtetuese ku duhet që të votohen me shumicë nga numri i deputetëve që janë anëtarë në Komision. Kryetar i Komisionit është Talat Xhaferi me zëvendës Xhevat Ademin, kurse anëtarë janë: Enes Ibrahimi, Sonja Mirakovska, Samka Ibraimovski, Liljan Popovska, Aneta Simeska Dimoska, Tatjana Lallçevska, Surija Rushidi, Nikolla Gruevski, Tajko Veljanoski, Dimitar Stevananxhija, Nada Cipusheva, Dafina Stojanovska, Ivan Stoilkoviq, Stojan Millanov dhe Fadil Zendeli.

Zëvendësnëtarë janë: Mileva Gjorgieva, Ilija Nikollovski, Lidija Taseva, Muhamed Zekiqi, Ferid Muhiq, Agim Murtezanov, Agim Shaqiri, Ziadin Sela, Emil Dimitriev, Amdi Bajram, Bllagoja Despotoski, Vlladanka Aviroviq, Dragan Cuklev, Nevenka Stamenkovska, Sasho Vasilevski dhe Afrim Gashi.

Pasi që Kuvendi me shumicë absolute, gjegjësisht me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament të amendamenteve kushtetuese, do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës për të cilën është e nevojshme shumicë prej dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

Deri në ndryshimin e Kushtetutës është e nevojshme që të votohet edhe dy herë, njëherë me shumicë absolute gjegjësisht 61 vota nga numri i përgjithshëm dhe një herë me shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht me 80 vota.

LEXO: Pesë kaluan, kanë ngelur edhe 10 hapa deri në ndryshimin e Kushtetutës

Ndryshimet kushtetuese parashihen me marrëveshjen e Prespës e cila është kusht për nisjen e procesin integrues të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.


“Open Air Cinema” sot do të shfaqet në Gostivar (FOTO)

$
0
0

Ekipi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tetovë “Oda”, në kuadër të javës së kulturës së Gostivarit, sot, më datë 27 tetor, me fillim prej ora 19:00, do ta realizojë aktivitetin kulturor “Open Air Cinema” (kinema në qiell të hapur), njofton Portalb.mk.

Siç njoftojnë organizatorët, filmat do të jenë të kategorisë “Sine Panorama”, dhe do të shfaqen përballë Qendrës Kulturore në Gostivar.

Ajo që është më e veçanta, se artdashësit do t’i ndjekin filmat nga veturat e tyre.

Buxheti 2019, rreth 9 milionë euro për vauçerë dhe shtëpi sportive

$
0
0

Në forumin e gazetarëve sportivë i Evropës Juglindore që u mbajt dje në Ohër, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se me buxhetin 2019, janë paraparë 6 milionë euro për vauçerë sportiv, e kurse për ndërtim të shtëpive të sportit 2,5 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria është përkrahës i madh i sportit dhe do të vazhdojmë edhe më tej me të gjitha politikat për përkrahje të sportit. Risitë të cilat i kemi sjellë dhe të cilat duhet të fillojnë të realizohen nga janari i 2019-s, është përfshirja e vauçerëve sportiv, për këtë, për përkrahje të sportit në Republikën e Maqedonisë do të investohen 6 milionë euro”, tha Zaev.

Me buxhetin e ri janë paraparë mjete edhe për ndërtimin e shtëpive të sportit, ku do të vendosen të gjitha federatat e sportit.

“Lokacionet janë siguruar, me projekt në vlerë prej 2.5 milionë euro, mjete buxhetore, me mbështetje edhe nga Komiteti Olimpik”, tha Zaev.

Zaev ka premtuar se Agjencia për të Rinj dhe Sport do të vazhdojë me përkrahjen serioze të sportit në Maqedoni, sepse siç tha ai, nëse sporti shkon përpara, është dëshmi për rritje dhe zhvillim të shtetit.

SFrumini gazetarëve sportivë i Evropës Juglindore

SFrumini gazetarëve sportivë i Evropës Juglindore

Naim Tërnava edhe për një mandat në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës

$
0
0
 Naim Tërnava u votua për të katërtën herë në krye të BIK-ut.

Naim Tërnava do të vazhdojë të udhëheq me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), njofton Lajmi.net.

Ai fitoi për herë të katërt duke mbledhur 52 vota nga trupi zgjedhor i cili përbëhej nga 28 delegatë të Kuvendit.

Ndërsa, kundërkandidati i vetëm Reshat Mexhiti mori gjashtë vota, ndërsa dy vota ishin të pavlefshme.

Tërnava është myfti i Kosovës që 13 vjet dhe ka përfunduar mandatin e tretë në krye të institucionit më të lartë të besimit islam në Kosovë.

Rikandidimi për herë të katërt për këtë pozitë ka ngritur edhe disa dilema dhe njohës të islamit në Kosovë kanë thënë se Tërnava po e shkel Kushtetutën e BIK-ut.

Kalaja e Shkupit, Inspektorati e largoi ndërtimin pa leje

$
0
0

Inspektori i autorizuar i ndërtimit, me makineri teknike dje e largoi ndërtimin pa leje i cili në mënyrë të kundërligjshme u ndërtua në afërsi të Kalasë së Shkupit, kumtuan sot nga komuna Qendër, njofton MIA.

Siç informojnë nga komuna, vendi i improvizuar për ndërtim paraprakisht, më 18 shtator, është mbyllur nga ana e komunës, ndërsa investuesit i është urdhëruar në periudhën e përcaktuar ligjore qartë ta largojë ndërtimin pa leje. Pasi investuesi nuk ka vepruar sipas vendimit dhe ka vazhduar me ndërtimin, Sektori për punë inspektuese i komunës Qendër filloi largimin e ndërtimit pa leje.

Prej atje apelojnë që qytetarët t’i respektojnë ligjet dhe rregullat për ndërtim, si dhe t’u përmbahen procedurave ligjore për ndërtimin e objekteve

Ndërtimi pa leje në Kalanë e Shkupit

Talenti që vendosi rekord në Bundesligë mund t’i bashkohet Interit

$
0
0
Inter raportohet se janë duke kërkuar talentin e Bayer Leverkusen, Kai Havertz, i cili mund t’u kushtojë së paku 35 milionë euro.

19 vjeçari u bë debutuesi më i ri i Leverkusen në Bundesligë në vitin 2016, ndërsa pak kohë më vonë ai u bë lojtari më i ri që arrin 50 paraqitje në elitën e futbollit gjerman, transmeton Lajmi.net.Harertz që cilësohet si një nga talentët më perspektivë në Gjermani, në muajin shtator ka regjistruar debutimin në ekipin kombëtar, duke u paraqitur në dy minutat e fundit të ndeshjes në miqësoren kundër Perusë.

Sipas ‘Calciomercato’, ‘Zikaltërit’ kanë dërguar zyrtar të tyre për të parë nga afër mesfushorin në sfidën e Ligës së Evropës mes FC Zurich dhe Bayer Leverkusen.

Havertz është nën kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2022, dhe transferimi i tij mund t’i kushtojë Interit deri në 35 milionë euro.

Volkswagen prezantoi crossoverin T-Cross Urban 2019 (Foto)

$
0
0

Crossoveri më i i vogël nga VW deri më tani

Prodhuesi gjerman e ka prezantuar modelin T-Coss Urban 2019, përmes një paraqitjeje virtual përnjëherë në Shangai, Sao Paolo dhe Amsterdam, transmeton Telegrafi.

Por, jo edhe në Shtetet e Bashkuara, ku është cilësuar si shumë i vogël për kërkesat e amerikanëve, të cilët për një kohë duhet të mjaftohen me Tiguan dhe Tiguan Limited. Modeli T-Cross është ndërtuar mbi platformën MBP, në të cilën përfshihen edhe VW Polo dhe Audi A1.

“Po e prezantojnë në tri shtete në të njëjtën kohë, pasi T-Cross ka një vlerë të rëndësishme për Volkswagen dhe tregun e automobilizmit në përgjithësi” ka thënë Ralf Bradstatter, zyrtar i lartë në Volkswagen.

Makina e ka motorin me gaz dhe benzinë, që prodhon prej 95 deri në 150 kuaj fuqi. E ka filterin Euro 6dTEMP, që është i fundit sa i përket standardit evropian për lirimin e gazrave.

Megjithëse është crossoveri më i vogël nga Volkswagen, vjen me sistemin e monitorimit të kalimtarëve dhe frenave emergjent, ndërsa mund të asistojë në shirit dhe të jep sinjale për këndin e vdekur.

Asistenti opsional për parkim, iu mundëson ta parkoni T-Cross Urban edhe në hapësirat më të ngushta, teksa porti USB iu mundëson të lidheni me këdo në botë.

Fotografitë e rrjeteve sociale, të mbushura me absurditet (FOTO)

$
0
0

Statistikat tregojnë se numri i njerëzve që përdorin rrjete sociale, arriti pothuajse në 2.5 miliardë në vitin 2017, dhe ky numër është gjithnjë në rritje, përcjell Klan Kosova.

Ne përdorim rrjete sociale për të ndarë momentet e lumtura të jetës sonë, për t’u mburrë me të arriturat dhe për të përgjuar jetët e miqve tanë.

Shpeshherë llogaritë e rrjeteve sociale bëhen burim i disa fotografive qesharake që na bëjnë t’i hapim sytë dhe të pyesim “Çfarë po ndodh këtu?”.


Sulmi në Pitsburg, autoritetet zbuluan identitetin e autorit të vrasjeve

$
0
0

Autoritetet amerikane kanë arritur ta zbulojnë identitetin e autorit që kreu tetë vrasje the plagosi 12 të tjerë në një qendër të komunitetit hebre në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara.

Robert Bowers 46 vjeçar, ka qenë i armatosur me një armë të tipit AR-15 dhe disa revole të tjera, shkruan NBC News, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa Policia ka njoftuar se ai është plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri dhe tani ai ndodhet në duart e autoriteteve të sigurisë.

*************************************************************************************

17:30 – Të shtëna me armë në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara, tetë të vdekur

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një qendër të komunitetit hebre në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara.

Në mesin e të vrarëve, raportohet se tre kanë qenë oficerë të policisë, shkruan Euronews.

Besohet se i dyshuari ka qenë i armatosur me një armë të tipit AR-15 dhe tani ai ndodhet në paraburgim.

Komandanti i Policisë, Jason Lando, u ka kërkuar qytetarëve përreth që të qëndrojnë të strehuar pasi që nuk ishte i sigurt qëndrimi në hapësirat publike.

Shërbimet emergjente kanë arritur rreth orës 10:00 në Sinagogën e quajtur “Trungu i Jetës” dhe është raportuar se një numër i konsiderueshëm kanë mbetur të lënduar nga incidenti tragjik.

Maqedonia “vlon” nga gjuha e urrejtjes, por rastet rrallë procesuohen në Gjykatë

$
0
0

Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes. Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste, njofton Portalb.mk.

Policia me tempo të ngadaltë e ka hetuar gjuhën e urrejtjes, ndërsa gjyqësori nuk e ka dënuar, duke pasur parasysh numrin e madh të paraqitjeve që janë bërë vetëm në platformën digjitale qytetare për paraqitje të gjuhës së urrejtes. Pos kësaj, në Maqedoni, sidomos në kohën e pushtetit të VMRO-DPMNE-së, sipas analizës të Portalb.mk, gjuha e urrejtjes ka qenë mjaftë e theksuar dhe ka pasur raste eklatante ku publikisht persona dhe grupe të caktuara kanë qenë të ekspozuara ndaj këtij fenomeni që dënohet sipas ligjit, por e njëjta nuk është ndjekur dhe dënuar nga organet e rendit.

Sipas të dhënave që kemi siguruar, gjatë periudhës 2014-2018-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla, edhe atë në vitin 2017-të.

Për periudhën e njëjtë, Ministria e Punëve të Brendshme ka evidentuar edhe 22 raste të tjera të gjuhës së urrejtjes, por asnjëra nga to nuk ka marrë epilog gjyqësor në Gjykatën Penale të Shkupit.

Gjykata dy personat i ka dënuar, sipas nenit 181 të Kodit Penal, i cili parasheh dënim me para ose me burg deri në 3 vjet për personin që tallet me ndonjë shtet të huaj ose përfaqësues të lartë shtetëror të saj.
Nga ana tjetër MPB më së shumti padi ka ngritur për “rrezikim të sigurisë nëpërmjet rrugës së sistemit informatik sipas nenit 144 paragrafi 4” – 19. Për “shkaktim të  urrejtjes, mosmarrëveshjes ose intolerancës në bazë nacionale, racore, fetare ose në bazë ndonjë diskriminimi tjetër sipas nenit 319 paragrafi 1”, MPB ka dorëzuar 4 padi. Nga 1 padi, për “diskriminim racor dhe diskriminim tjetër sipas nenit 417 paragrafi 1” dhe “shkelje të barazisë së qytetarëve sipas nenit 137 paragrafi 1” dhe asnjë padi për shpërndarje të materialeve raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik, sipas nenit 394 G paragrafi 1.

Të dhëna të tjera për gjuhën e urrejtjes mund shikohen edhe nga platforma në internet “Paraqit dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes”. Qytetarët në këtë ueb-platformë kanë paraqitur dhjetëfish më shumë raste ku është përdorur gjuha e urrejtjes në krahasim me paditë penale që i ka dorëzuar policia.

Sipas statistikave që dalin nga kjo ueb-platformë, prej vitit 2014-të deri në vitin 2018-të, qytetarët kanë paraqitur 341 raste ku është përdorur gjuha e urrejtjes, ndërkaq prej tyre më së shumti e njëjta është përdorur për shkak përkatësisë etnike, politike dhe seksuale.

Të dhënat e platformës të paraqitjeve të gjuhës së urrejtjes prej vitit 2014 deri në vitin 2018

Të dhënat e platformës të paraqitjeve të gjuhës së urrejtjes prej vitit 2014 deri në vitin 2018

Formën interaktive të hartës mund ta shihni: KËTU

Ndryshe, këtë muaj, MPB ka dorëzuar padi penale kundër personave që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe kanë kërcënuar deputetët që kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, edhe kundër gazetarit Milenko Nedellkovski dhe aktorit Toni Mihajllovski, të dy të afërt të ish pushteti të VMRO-DPMNE-së. Nedellkovski akuzohet për “Rrezikim të sigurisë” dhe “Shpërndarje të materialit racist dhe ksenofobik”, ndërkaq Mihajllovski akuzohet se e ka kërcënuar gazetarin Branko Triçkovski.

LEXO: Policia dhe Prokuroria në ofensivë me padi penale kundër kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes
LEXO: Rastet më eklatante të gjuhës së urrejtjes në vitet 2013 – 2018

Të gjithë qytetarët që janë të ekspozuar ndaj gjuhës së urrejtjes rastet mund t’i paraqesin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht në Polici, në Prokurori, Komisionin për Mbrojtje të Diskriminim, Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë – Këshilli i Nderit, në Këshillin për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM), por edhe në platformën online “www.govornaomraza.mk”.

Banorët kërkojnë:

Gjykata Penale – Shkupi 1 të jetë më ekspeditive dhe efikase në procesuimin e rasteve

Gjuha e urrejtjes është vepër penale sipas Kodit Penal të Maqedonisë 

Prej shkurtit të vitit 2014 në Republikën e Maqedonisë kanë hyrë në fuqi dispozitat e reja ligjore me të cilat ndalohet dhe ndëshkohet gjuha e urrejtjes dhe përhapja e materialeve nëpërmjet internetit, me të cilat promovohet ose nxitet urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë njeri ose grupi, në çfarëdo baze të diskriminimit.

Kodi Penal i Maqedonisë

Kodi Penal i Maqedonisë

Me ndryshimet e Kodit penal të cilat i miratoi Kuvendi me procedurë urgjente në fillim të vitit 2014 dhe hynë në fuqi në mes të shkurtit (tetë ditë pas publikimit të tyre në Gazetën zyrtare të R. të Maqedonisë, nr. 27 të datës 05.02.2014) neni 319 thotë:

Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit në bazë kombëtare, racore, fetare dhe në ndonjë tjetër të diskriminimit

(1)  Ai i cili me dhunë, maltretim, rrezikim të sigurisë, ekspozimit për tallje të simboleve nacionale, etnike, fetare dhe të tjera, me djegie, shkatërrim ose me ndonjë mënyrë tjetër të dëmtimit të flamurit të Republikës së Maqedonisë ose flamujve të shteteve të tjera, me dëmtim të gjërave të huaja, me përdhosjen e përmendoreve, varreve ose në ndonjë mënyrë tjetër diskriminuese, të drejtpërdrejtë ose indirekte, do të shkaktojë ose do të nxisë urrejtje, përçarje ose mosdurim në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes, përkatësisë në ndonjë grup të margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, religjionit ose besimit fetar, llojeve të tjera të besimit, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal ose shoqëror, pengesës menatale ose trupore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes materiale, gjendjes shëndetësore, ose në çfarëdo baze tjetër që është paraparë me ligj ose me ndonjë marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet.

(2) Ai që veprën nga paragrafi (1) i këtij neni e bën duke e keqpërdorur pozitën ose autorizimin ose nëse për shkak të atyre veprave janë shkaktuar trazira dhe dhunë ndaj njerëzve ose është shkaktuar dëm material me përmasa të mëdha, do të dënohet me burg prej një deri në dhjetë vjet.

Me këtë nen është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet, për secilin që do shkaktojë ose që do nxisë urrejtje, përçarje ose mosdurim, sipas ndonjë baze për diskriminim.

Pas ndryshimeve të Kodit Penal, neni 394-d thotë:

Përhapja e materialit me përmbajtje raciste dhe ksenoffobike nëpërmjet sistemeve kompjuteri

(1) Ai i cili nëpërmjet kompjuterik në publik përhap material të shkruar me përmbajtje racore dhe ksenofobike, fotografi ose ndonjë reprezentim tjetër të ndonjë ideje ose teorie që ndihmon, promovon ose nxit urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë person ose grup, në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes, përkatësisë në ndonjë grup të margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, religjionit ose besimit fetar, llojeve të tjera të besimit, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal ose shoqëror, pengesës menatale ose trupore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes materiale, gjendjes shëndetësore, ose në çfarëdo baze tjetër që është paraparë me ligj ose me ndonjë marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet.

(2) Me dënimin e paraparë në paragrafin (1) të këtij neni do të dënohet edhe ai që veprën do ta kryejë nëpërmjet mjeteve të tjera të informimit publik.

(3) Ai që veprën nga paragrafet (1) dhe (2) të këtij neni e bën duke e keqpërdorur pozitën ose autorizimin ose nëse për shkak të atyre veprave janë shkaktuar trazira dhe dhunë ndaj njerëzve ose është shkaktuar dëm material me përmasa të mëdha, do të dënohet me burg prej një deri në dhjetë vjet.

Shkup, sonte shfaqet “Nëna dhe i biri” në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi”

$
0
0

Sonte do të shfaqet drama “Nëna dhe i biri”, me autor Jon Fosse, në regji të Dino Mustafiq dhe e realizuar nga MAM Foundation në Tiranë, në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi”, njofton Portalb.mk. 

Tema e shfaqes është takimi i nënës dhe birit pas 20 vjetësh. Përmes bisedave dhe heshtjeve, përpiqen që t’ a kthejnë kohën e humbur. Dy shpirtra të vetmuar…

Interpretojnë: Ema Andrea, Matia Llupa dhe Jonatan Verkuj. Skenografia është realizuar nga Klod Dedja, kurse kostumet nga Berina Kokona.

Shfaqja mbahet në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup dhe fillon në ora 20.00.

Më 29 tetor, me fillim prej ora 20:00, do të shfaqet “Mielli në damarët tonë”, me autor Igor Shtiks, në regji të Boris Lijesheviq e Institucionit Publik “Teatri i luftës” të Sarajevës.

Interpretojnë: Miki Trifunov, Kaça Doriç, Izudin Bajroviç, Admir Glamoçak, Selma Alispahiq dhe Jasenko Pashiq. Skenografia është realizuar nga Vedran Hrustanoviç, kurse kostumografia nga Lejla Hoxhiç.

“Mielli në damarët tone” të shpërndarë nëpër botë për shkak të luftës, të cilat takohen përsëri, pas 20 vitesh, në qytet, në apartament, në mbrëmje. Gjithçka ka ndryshuar, qyteti, vendi, populli, përbërja etnike, rrugët, fytyrat e njerëzve, por traumat kanë ngelur dhe nuk mund të fshihen as edhe nga koha, as edhe nga ndryshimi i lokacionit gjeografik.

“Mielli në damarët tonë”

Më 30 tetor, me fillim prej ora 20:00 do të shfaqet “Robëroje veten”, në regji të Cosmin Matei, e Teatrit të Pavarur “Dhoma e pritjes” së Rumanisë.

Interpretojnë: Zsolt Csepei, Levente Imecs-Magdó, Endre Rácz, Maya Sebők, Júlia Sipos, Tímea Udvari dhe András Hatházi. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Anna Kupás.

Varshmëria si formë e adaptimit në dislokime të ndryshme sociale që përsëriten. Një shumicë e konsiderueshme e njerëzve jetojnë buzë robërimit, duke pasur pasojë sjelljen destruktive, nga njëra anë, dhe me ndërgjegjshmërinë të plotë e mungesë të lidhjes nga ana tjetër.

“Robëroje veten”

“Robëroje veten”

LSDM: Mickoski ka marrë tokë shtetërore për ndërtim të hidrocentralit në kohën kur ka qenë këshilltar i Gruevskit

$
0
0

Lideri  i VMRO-DPME-së, Hristijan Mickoski akuzohet se ka marrë rreth 33 mijë metra katror tokë me qira në pronësi të shtetit, në kohën kur ishte këshilltar për energjetikë i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Siç njofton zëdhënësi dhe deputeti i LSDM-së Konstandin Konstandinov, Micksoki tokën e ka marrë për ndërtim të një hidrocentrali, njofton Portalb.mk.

“Toka në pronësi të Republikës së Maqedonisë nga Qeveria e Gruevskit, i është caktuar konsorciumit në të cilin është kompani me të cilën udhëheq  Mickoski, Energotech DOO Shkup. Ky është një konflikt klasik i interesit. Në atë kohë, dhjetor 2015, Hristijan Mickoski ishte këshilltar i kryeministrit të atëhershëm të Qeverisë, Nikola Gruevski “,  tha Kostadinov.

Kostadinov tha se pret që të reagojnë institucionet përkatëse për siç thotë konfliktin klasikt të interesit që e ka bërë Mickoski.

Festivali “Skupi”, të braktisësh një fëmijë në skenë (FOTO/VIDEO)

$
0
0

Nënë dhe bir u takuan pas 20 vjetësh, mes frikës për të folur për gjërat që i lëndonin, ata përpiqeshin të flisnin për gjërat që ju pëlqenin, dhe kur stadi i dhimbjes merrte formën fizike, aq sa vështirësonte frymëmarrjet dhe përfundonin në thithje cigaresh, ata merrnin forcë nga ndenja për të mos humbur njëri-tjetrin.

Dhimbja e frikës së humbjes përçohej aq lehtë edhe në publik, sa kishte raste kur trishtimi i shkaktuar reflektonte edhe në sjellje të publikut, i cili qëllimshëm ishte vënë në skenë, për të ndjerë më afër gjithçka çfarë luhej nga aktorja Ema Andrea, Matia Llupa dhe Jonatan Verkuj, të cilët me shfaqjen “Nëna dhe fëmija”, shënuan ditën pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi”, shkruan Portalb.mk.

“Ç’ mund të thotë një njeri pas shfaqjes. Besoj se shkoj mirë. Një publik i jashtëzakonshëm. Janë kolegë të mi që i dua fort, dhe thjeshtë doja t’i bëj krenar, dhe besoj se ia dolëm”, u shpreh aktorja Ema Andrea pas duartrokitjeve të gjata që ua dha publiku gjatë dhe në fund të shfaqjes.

Portalb: Duke e pasur parasysh se ju jeni nënë, si është ndjenja ta braktisësh fëmijën në skenë?

Ema Andrea: Të braktisësh një fëmijë në skenë është një boshllëk i madh, dhe kjo është e bukura e profesionit tonë, sepse hymë në jetë të tjera, pa asnjë gjykim. Edhe në këtë shfaqje është një nënë, të cilës ia gjen arsyet se pse e ka bërë këtë akt.

Portalb: Dhe ka arsye një nënë për ta braktisur fëmijën?

Ema Andrea: Në shfaqje ka arsye, sepse ka dashur ta plotësojë veten, dhe mos të bie dakord me moralin e kohës.

Shfaqja “Nëna dhe fëmija”

Festivali “Skupifestival” nga viti i ardhshëm me risi

Shfaqja e lartpërmendur ka shënuar ditën e pestë të festivalit, i cili ka nisur më 24 tetor, dhe do të përfundojë më 30 tetor me ndarjen e çmimeve të përzgjedhura nga juria e përbërë prej artistit prej Bosnje dhe Hercegovine, Almir Bashoviq dhe prej Maqedonie, Kushtrim Bekteshi dhe Dimçe Nikolovski.

Në lidhje me “Skupifestival”, drejtori Muzbajdin Qamili tha se nga viti i ardhshëm do të sjellë risi, duke organizuar punëtori të cilat do të përfshijnë kritikë të teatrit dhe gazetarë të kulturës.

“Festivali ka arritur deri në stadin që ka krijuar fizionominë e vetë, dhe prandaj edhe interesimi nuk është duke munguar”, tha Qamili.

Portalb: Çfarë e dallon “Skupin” nga festivalet tjera?

Muzbajdin Qamili: Ajo çfarë e karakterizon “Skupin” nga festivalet tjera, është se ne kemi shfaqje nga të gjitha llojet. Prej viti të ardhshëm festivali do të riorganizohet, dhe shpresojmë se festivali do të jetë tematik, dhe për çdo vit do ta ketë temën e vetë. Shpresojmë që shumë miq, dashamirë, kritikë, aktorë, regjisorë dhe gazetarë, që kemi, do të kyçen, dhe do të kemi një punëtori apo debat një deri dy muaj, në të cilin do të flitet për të ardhmen e festivalit, për mënyrën se si do të organizohet në të ardhmen.

Portalb: Pse ky riorganizim, kur tashmë ka krijuar fizionominë e vetë?

Muzbajdin Qamili: Kjo bëhet për shkak se tashmë ne kalojmë në fazën e dytë, e cila është shumë më e rëndë por shumë produktiv dhe shumë më e mirë për publikun e Shkupit.

Festivali do ta vazhdojë rrugëtimin artistik edhe sot dhe nesër.

Sot, më 29 tetor, me fillim prej ora 20:00, do të shfaqet “Mielli në damarët tonë”, me autor Igor Shtiks, në regji të Boris Lijesheviq e Institucionit Publik “Teatri i luftës” të Sarajevës.

Interpretojnë: Miki Trifunov, Kaça Doriç, Izudin Bajroviç, Admir Glamoçak, Selma Alispahiq dhe Jasenko Pashiq. Skenografia është realizuar nga Vedran Hrustanoviç, kurse kostumografia nga Lejla Hoxhiç.

“Mielli në damarët tone” të shpërndarë nëpër botë për shkak të luftës, të cilat takohen përsëri, pas 20 vitesh, në qytet, në apartament, në mbrëmje. Gjithçka ka ndryshuar, qyteti, vendi, populli, përbërja etnike, rrugët, fytyrat e njerëzve, por traumat kanë ngelur dhe nuk mund të fshihen as edhe nga koha, as edhe nga ndryshimi i lokacionit gjeografik.

“Mielli në damarët tonë”

Kurse nesër, më 30 tetor, me fillim prej ora 20:00 do të shfaqet “Robëroje veten”, në regji të Cosmin Matei, e Teatrit të Pavarur “Dhoma e pritjes” së Rumanisë.

Interpretojnë: Zsolt Csepei, Levente Imecs-Magdó, Endre Rácz, Maya Sebők, Júlia Sipos, Tímea Udvari dhe András Hatházi. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Anna Kupás.

Varshmëria si formë e adaptimit në dislokime të ndryshme sociale që përsëriten. Një shumicë e konsiderueshme e njerëzve jetojnë buzë robërimit, duke pasur pasojë sjelljen destruktive, nga njëra anë, dhe me ndërgjegjshmërinë të plotë e mungesë të lidhjes nga ana tjetër.

Shfaqja “Robëroje veten”

Viewing all 8851 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>