Skuadra e Shkupit ka vazhduar të jetë aktive në afatin kalimtar të janarit, duke bërë për vete edhe një futbollist shumë cilësor, futbollistin 21 vjeçar Jasir Asani, i cili në formë huazimi nga skuadra e Vardarit ka vendosur që për gjashtë muajt e ardhshëm të jetë pjesë e skuadrës bardhekaltër, raporton Portalb.mk.
Edhe pse Asani kishte shumë oferta nga shumë klube nga kampionati i Maqedonisë dhe jashtë vendit, vendosi që të zgjedh skuadrën nga Çairi.
Prezantimi i Jasir Asanit u bë gjatë stërvitjes së ekipit, ku në pranin e futbollistëve dhe stafit teknik kryesia e klubit dhe anëtarët e tjerë të ekipit i dëshiruan mirëseardhje në ekip, futbollistit të ri i cili është një nga emrat më të kërkuar në afatin kalimtar të dimrit.
Menjëherë pas prezantimit Asani është prononcuar për faqen zyrtare të klubit, duke u shprehur shumë i gëzuar dhe i kënaqur që arriti të vesh fanellën e Shkupit.
“Dëshira ime që të luaj për Shkupin ishte që në fëmijëri, falë tifozëve të flaktë “SHVERCERAT” dhe udhëheqësit të këtij tifo grupi Omer Bunjaku, e që kjo bëri unë me shumë dëshirë dhe më lehtë të bëhem pjesë klubit. Është e vërtetë se kisha oferta të mëdha nga shumë klube, por dua të them se paraja nuk e bleu dashurinë që kam për këtë klub. Jam shumë i lumtur që e mbaj tani këtë fanellë me numrin legjendar 11, shpresoj që me ndihmën e Zotit, me gola dhe lojë të bukur të gjithë së bashku ta ndihmojmë klubin dhe ta dërgojmë aty ku e ka vendin.
Jesir Asani është futbollisti i pestë që veshë fanellën e Shkupit në këtë afat kalimtar, pas Sedat Berishës, Bunjamin Shabanit, Burhan Mustafës dhe Fatih Ismailit, ndërsa kryesia e klubit ka premtuar se deri në fund të afatit kalimtar do të ketë edhe disa emra tjerë që do të përforcojnë klubin deri në përfundim të afatit kalimtar.