Sot do të fillojë me punë Agjencia Teknike Operative, e cila siç premtoi drejtori, Zoran Angellovski do t’i japë fund përgjimit ilegal, transmeton Portalb.mk.
Për qytetarët, nisja me punë e ATO-s ka një rëndësi të veçantë, pasi që nga pavarësia e Maqedonisë e deri më sot, ata, politikanë, gazetarë, sipërmarrës, ambasadorë dhe figura publike janë përfshirë në dy skandale të mëdha të përgjimit ilegal.
Skandali i parë “Veshi i madh”
Ky skandal nisi në janar të 2000-s, nga lideri i atëhershëm i opozitares Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, por funksionarët të cilët dyshoheshin si të përfshirë në atë skandal, u amnistuan nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski.
Skandali i dytë “Bombat”
Ky skandal nisi 15 vjet më vonë, në vitin 2015 nga lideri i atëherë opozitares, tash në pushtet Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Zoran Zaev.
Ky skandal i parapriu themelimit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) e cila përfundoi me akt prokurorial për “Target – Fortesa”, në të cilën PSP-ja e akuzon ish udhëheqësinë e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) për përgjim ilegal të mbi 20 mijë qytetarëve, dhe për shkatërrim të materialit dhe aparaturës nëpërmjet së cilës është kryer vepra penale.
Në ATO nuk është duke u përgjuar ilegalisht

Drejtori i Agjencisë Teknike Operative, Zoran Angellovski
Drejtori i ri i Agjencisë Teknike Operative (ATO) , Zoran Angellovski të hënën shprehu bindjen se në Maqedoni nuk është duke u përgjuar në mënyrë ilegale, dhe premtoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në të ardhmen.
Ai para fillimit të takimit të parë me Komisionin për Mbikëqyrje të Realizimit të Masës së Veçantë Hetuese për Ndjekjen e Komunikimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria për Polici Financiare, Drejtoria Doganore dhe Ministria e Mbrojtjes tha se pajisja është transferuar në objektin e ATO-s, e cila për një periudhë do të zhvendoset në Qendrën e Telekom.
“ATO do të jetë transparente para komisioneve kompetente për ndjekjen e punës së saj. Mund të tregoj se për momentin pajisja është transferuar në ATO dhe nuk ka përgjime ilegale”, tha drejtori i ATO-s, Zoran Angellovski.
Përveç këtij komisioni kuvendor, kompetent për punën e ATO-së është edhe Komisioni Civil, Komisioni për të Dhëna të Klasifikuara dhe Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Pas formimit të ATO-s, reformohet DSK-ja
Detyrë e ATO-s do të jetë mbikëqyrja e sistemit të përgjimeve, funksion të cilin më parë e ka kryer DSK-ja e cila për momentin është në fazën e procesit konsultativ për zgjedhjen e modelit funksionues të tij. Reformat në DSK kanë nisur si rezultat i skandalit të përgjimeve – “Bombave” të cilat nxitën krizë politike në Maqedoni.
Përndryshe, ditë më parë Portalb.mk njoftoi se konsultimet e grupit punues për zgjedhjen e modelit të ri të funskionimit të DSK-së nuk kanë filluar. Modelin e ri të DSK-së, MPB-ja duhet t’ia prezantojë Qeverisë së Maqedonisë më së voni deri më 15 nëntor.
Pjesë e grupit punues janë 32 anëtarë nga institucione shtetërore dhe organizata joqeveritare.
LEXO: U formua Komisioni për bartjen e pajisjeve teknike edhe të dokumenteve nga MPB-DSK në ATO (për përgjime)
LEXO: Do të formohet Agjencia ATO e cila do t’i zhvillojë përgjimet në Maqedoni
LEXO: Propozim-rebalanci buxhetor, janë paraparë mjete edhe për Agjencinë ATO
LEXO: Skandali me përgjimet, Portalb mësoi emrat e individëve që do ta reformojnë DSK
LEXO: Kuvendi sot e ka votuar Zoran Angellovskin për drejtor të ATO-s
Drejtoi i ri i ATO-s, Zoran Angellovski beson se nuk po përgjohet më në mënyrë ilegale