Në këto zgjedhje lokale të 2017, për herë të parë në Maqedoni, Portalb.mk dhe Vertetemates.mk ju sjellin në Maqedoni stilin unik të debateve zgjedhore që moderohen nga Jeta Xharra e KALLXO.com të Kosovës.
Në #DebatPernime që realizohet me ndihmën e TV ART dhe BIRN Maqedoni, do të përballim kandidatët dhe ofertat e tyre politike për komunat Çair, Saraj, Tetovë, Strugë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë.
“Komunat shqiptare janë komunat që më pak investojnë për kokë banori në Maqedoni. Ato mbyten në bërllok e nuk kanë kushte elementare për jetesë: ju mungon uji i pijshëm dhe ajri i pastër, njofton hulumtimi jonë. Për gjitha këto probleme kandidatët shpesh premtojnë zgjidhje por rrallë japin llogari. Është radha që ti kapim për fjale e të pyeten për çështjet që askush nuk i pyet publikisht e që janë me rëndësi primare për qytetarët. Mendojmë që është koha e fundit për tu ndalur me premtime boshe sepse ne do t’ua ndjekim çdo fjalë që po e thonë politikanët.” shprehet Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk.
“Qytetarët dhe shoqëria civile në Maqedoni janë të etur për këtë lloj mbikqyrje dhe jam habitur edhe me entuziazmin e gjitha partive politike në Maqedoni (përveç VMRO) për të marrë pjesë në këto debate – madje kemi pas kërkesa prej partive që të përfshijmë edhe më shumë komuna se që e kemi bërë në plan. Ne nuk pretendojmë që i njofim ma së miri problemet e komunave në Maqedoni ku nuk jetojmë por kemi ekip të hatashëm të gazetarëve e hulumtuesve në Maqedoni nga 3 organizata – Portalb, BIRN Maqedoni dhe TV ART me të cilët i kemi bashku forcat dhe si ekip jemi duke i grah përpara këtij projekti që më besoni, është afatgjatë – do të na shihni në baza të rregullta prej tash e tutje me këtë konsorcium të organizatave duke e mbikqyr pushtetin lokal në Maqedoni” shprehet Jeta Xharra, nga Kallxo.com.
Debatet do të transmetohen në drejtpërdrejt në Facebook të Portalb.mk dhe Kallxo.com si dhe në TV ART CHANNEL nga 1 deri më 7 tetor.
Qytetarët mund të dërgojnë pyetje për kandidatët në Facebook të Portalb.mk dhe Kallxo.com si dhe përmes platformës online dhe aplikacionit në KALLXO.com.
“Vizioni i organizatës tonë është që qytetarët duke përdour mjete inovative të përmbushin të drejtën e tyre dhe detyrimin për të nxitur pushtetarët të japin llogari. Vërtetëmatësi pesë vite ndjek me vigjilencë premtimet e politikanëve në Maqedoni për të nxitur llogaridhënien e tyre. Me këto debate së bashku me partnerët tonë në Kosovë mundohemi të kontribuojmë në rritjen e transparencës së politikanëve në vend e cila për fat të keq është në nivel shumë të ulur” shprehet Bardhyl Jashari, drejtor i Fondacionit Metamorfozis, projekte të së cilës janë portali Portalb.mk dhe Vertetemates.mk.