Magjistër i Arteve të Bukura (MFA in Illustration Practice) nga Maryland Institute College of Art të SHBA-ve, tashmë profesor arti, kosovari Edon Muhaxheri, ka kthyer në vëmendje kulturën shqiptare, duke zgjuar kurreshtje të madhe të profesionistëve amerikanë.
Kjo përmes siç e quan ai, ringjalljes së alfabetit të Ëvetarit të Naum Veqilharxhit, të njohur si Vithkuqi (1844).
Muhaxheri ka rrëfyer për KosovaPress-in se ishte puna e Veqilharxhit e cila e ka motivuar t’i hulumtojë shkronjat e Vithkuqit, t’i përpunojë e digjitalizojë ato. Ai beson se nëse nuk do të ndodhte vdekja e parakohshme e Veliharxhit, këto shkronja sot do të ishin alfabet zyrtar i shqiptarëve. Publikimin e gjithë kësaj pune, Muhaxheri premton se do ta bëjë në dhjetor të këtij viti, pikërisht në ditën e lindjes së Naum Veqilharxhit. Për punën e tij kanë shkruar revista të njohura amerikane, ndërsa thekson se përmes këtij angazhimi ka synuar që të promovojë edhe shtetin e Kosovës në botë.KosovaPress: Na shpjego me pak fjalë punën e alfabetit tashmë të shumëpërfolur!Muhaxheri: Naum Veqilharxhi ka shkruar abetaren e parë shqipe (Ëvetari) në vitin 1844. Meqenëse gjuha shqipe nuk kishte alfabet zyrtar, autori e ilustroi një komplet shkronjash të veçanta vetëm për gjuhën shqipe.
Sa kanë ngjashmëri këto shkronja me ato të alfabetit grek, sllav, arab apo latin?
Shumë pak. Me këtë alfabet nuk mund të shkruhet në asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe. Ka disa simbole që janë huazuar nga alfabete të popujve tjerë, por si sistem shkrimi, Vithkuqi (siç e quan autori) është unik.
Përse humbi ky alfabet?
Ky alfabet u prit shumë mirë nga shqiptarët. Nëse Naumi nuk do të helmohej dhe të vdiste në vitin 1854, ka gjasa që Vithkuqi të ishte alfabeti ynë zyrtar. Naumi ishte njeri i pasur dhe idealist. Ai shfrytëzonte pasurinë e tij për të shkruar libra për popullin. Pas vdekjes së tij, nuk pati përpjekje serioze për të botuar më shumë abetare apo edhe materiale tjera me këtë shkrim. Ishin kohëra të vështira për shqiptarët.
Çka të shtyu të merresh me një alfabet gati të harruar?
Isha shumë i lumtur kur mësova për alfabetin e Ëvetarit. Është një margaritar i trashëgimisë kulturore që duhet ta ruajmë me krenari. Duhet t’i japim hapësirën e merituar në muze, e pse jo edhe ta shfrytëzojmë për rekreacion. Shkronjat e Vithkuqit janë simbole tona. Ka mënyra të panumërta për t’i shfrytëzuar.
Kur do ta shohim gjithë punën tënde me alfabet?
Datën zyrtare për publikimin e punës me alfabet e kam vendosur me 6 dhjetor 2017, për nder të 220 vjetorit të lindjes së Naum Veqilharxhit.
Për punën tënde me alfabetin e abetares së parë shqipe po shkruajnë revistat më të famshme të artit grafik në ShBA. Si ndihesh?
Ringjallja e alfabetit të abetares së parë shqipe (pasi ky i fundit nuk i ka mbijetuar kohës dhe gati është harruar), përmes përpunimit e digjitalizimit është ngjarja më e madhe në tipografinë shqiptare. Për profesionistët amerikanë punimi im paraqet një hulumtim e trajtim të diçkaje shumë ekzotike dhe si i tillë zgjon kurreshtje të madhe. Për mua është arritje e shumfishtë të paraqitem në revistat më të famshme të artit grafik në ShBA duke promovuar shtetin e Kosovës dhe kulturën shqiptare.
Në muajin maj të këtij viti ke diplomuar në programin Praktikimi i Ilustrimit, Master i Arteve të Bukura (MFA in Illustration Practice) nga Maryland Institute College of Art (MICA). Çfarë bën tani në Amerikë?
Gjatë gjithë kohës së studimeve unë kam punuar si asistent i profesorëve të ndryshëm në MICA. Në semestrin e fundit, drejtoresha e programit që kam studiuar më ofroi mundësinë e krijimit të një lënde të re në këtë program. Pastaj mu ofruan edhe drejtorë të departamenteve tjera dhe si përfundim unë jap mësim në tri nivele në MICA: PreCollege, Undergraduate dhe Graduate. Në gusht madje më kanë angazhuar të ndihmoj në trajnimin e kolegëve profesorë, në arte digjitale.