Filmi me titullin “A long way home” dhe “Toka” me regji dhe skenar të Ibër Dearit nga Maqedonia kanë triumfuar në festivalin e filmit shqiptar “Albanian film week” i cili mbahet në New York të Amerikës, njofton Portalb.mk.
Filmi “Toka” i cili tek shikuesit vjen me rolin e aktorëve Adem Karaga, Afrim Muçaj dhe Amernis Nokshiqi është shpërblyer me çmimin ‘Filmi më i mirë i shkurtër’, kurse filmi i dytë “A long way home” me aktorët Mirsad Abazi, Sefedin Shabani dhe Musa Isufi ka triumfuar në kategorinë e ‘Regjia më e mirë’.
Filmi “Toka” është mbështetur nga Agjencia e Fondit të Maqedonisë përderisa filmi “A long way home” është vetëfinancim.
Për Portalb regjisori dhe skenaristi Ibër Deari u shpreh kështu:
“Ky është çmimi i nëntë që e fitoj në karrierën time. Këto dy çmimet e fundit kanë shumë rëndësi dhe vlerë dhe për këtë jam shumë i lumtur dhe ndjehem tejmase i vlerësuar. Krahas çmimeve festivali “Albanian film week” më ka mundësuar shumë lidhje me producentë dhe artistë këtu në New York. Kam marr lëvdata dhe përkrahje për projektet e ardhshme”, tha nga New York-u, Deari.
Ndërsa drejtoresha e këtij festivali, Mrika Krasniqi e vlerësoi si të suksesshëm edhe këtë edicion dhe se paralajmëroi se edicioni i ardhshëm i tij do të jetë “International Filmmaker Festival of New York”.
“Festivali i filmit shqiptar në New York mbrëmë është mbyllur me sukses dhe ka vlerësuar me çmime filmat më të mirë në kategori të ndryshme. Ne do të vazhdojmë edicionin e radhës me një emër të ri: International Filmmaker Festival of New York me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimeve, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të përkrahim artistët shqiptar”, tha Krasniqi.
Ndërsa, filmi i metrazhit të gjatë “Home sweet home”, me regji të Faton Bajraktarit është shpërblyer me tri çmime duke rrëmbyer kështu edhe çmimin kryesor siç është ‘Filmi më i mirë’. Njëkohësisht ky film është fitues edhe i çmimeve të dy aktorëve më të mirë siç janë Donat Qosja ‘Aktori më i mirë’ dhe Arta Muqaj ‘Aktorja më e mirë’.
Krahas Dearit dhe Bajraktarit, në këtë festival edhe regjisori Besim Ugzmajli është shpërblyer me çmimin ‘Dokumentari më i mirë’ kurse aktori Isli Hoxha dhe producenti Enkelejd Vasilis Mezini u shpërblyen me çertifikata.
Përndryshe, mbrëmë ishte nata e fundit e festivalit Albanian Film Week, i cili ka nis më datën 26 maj dhe përfundoi me ndarjen e çmimeve të filmave më të mirë, që u shfaqën në New York, aty edhe ku mbahet ky festival. Ky ishte edicioni i gjashtë i festivalit, juria e të cilit ishte: Amina Zhaman, Fatrin Krajk, Jamal Hodge, Diar Xani dhe Lulzim Guhelli.