Partitë politike ende nuk kanë nisur negociatat për Qeverinë e ardhshme. Por sa të njëjtat janë të përgjegjshme që Marrëveshjen për Qeverinë ta bëjnë publike dhe të afatizuar?
Aleanca për shqiptarët dhe Lëvizja Besa shprehen se janë pro transparencës dhe mbështesin idenë që marrëveshja të jetë e hapur dhe e afatizuar. PDSH, BDI dhe VMRO –DPMNE kanë qenë të pakapshëm për të dhënë përgjigje, derisa nga LSDM thonë se ende është herët për tu diskutuar kjo çështje dhe se e njëjta do të varet nga bashkëbiseduesit, shkruan Portalb.mk.
“Parakushtet themelore që BESA të diskutojë për mundësinë e përfshirjes në qeveri janë tri: se BESA pranon të marrë pjesë në qeverisje vetëm nëse në të nuk ka figura politike të inkriminuara dhe të dyshuara nga Prokuroria Speciale Publike; se BESA pranon të jetë e pjesë e bisedimeve për qeverisje vetëm nëse pranohet diskutimin për RIDEFINIMIN e sistemit juridiko-kushtetues të shtetit dhe se BESA do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisjes vetëm nëse marrëveshja qeveritare do të jetë transparente për publikun dhe e afatizuar”, tha për Portalb zëdhënësi i Lëvizjes Besa Orham Murtezani.
“Që kur kemi bë koalicionin parazgjedhor, si Aleancë për Shqiptarët, kemi deklaruar nëpërmes marrëveshjes se duam qeverisje transparente. Dhe këtë e kemi paraparë edhe në pikën e 4-të dhe 5-së të marrëveshjes”, deklaroi për Portalb Agon Ferati, nënkryetar i Lëvizjes për Reforma në PDSH.
Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e ka parë të arsyeshme të deklarohet për këtë pyetje. Edhe PDSH dhe VMRO-DPMNE ishin të pakapshëm për t’u deklaruar për çështjen në fjalë.
Zëdhënësi Petre Shilegov, shkurt në bisedë telefonike për Portalb tha se është herët të diskutohet kjo temë, por se partia e tij është transparente dhe se do të varet edhe nga partitë tjera se si do të dukej një marrëveshje për koalicion qeveritar.
Analistët janë të mendimit se partitë politike duhet ta bëjnë publike marrëveshjen për koalicion qeveritar. Kjo, sipas tyre për arsye të rritjes së transparencës dhe përgjegjësisë së Qeverisë së ardhshme.