Nga informacionet e mara para këtij takimi, kisha të dhëna se mund të ishte i përfshirë në vrasjen e Artan Santos dhe një seri ngjarjesh të tjera kriminale.
Gjatë dëshmisë së tij, Ministri Tahiri ka shprehur disa herë dyshimet se historia e planit për të eliminuar Tom Doshin, ishte e sajuar për të mbuluar vrasjen e bankierit Artan Santo, ose atë të Kryekomisar Dritan Lamajt, për të cilin është dënuar me burg përjetë në mungesë, Arben Frroku, vëllai i Deputetit Mark Frroku, që sipas Prokurorisë është autori i historisë së sajuar për eliminimin e Tom Doshit.
Këto dyshime, Tahiri thotë se ia ka shprehur në telefon edhe Kryeministrit Edi Rama.
“Unë i thashë që gjithashtu se kjo bëhej ose sepse, Toma kërkon të jetë në qendër të vëmendjes së Kryeministrit, ose për të mbuluar një tjetër ngjarje kriminale, që sipas meje, ishte diçka që kishte të bënte me Santon ose me vëllanë e deputetit Mark Frroku. Kjo sepse kishim problem me dëshmitarin e drejtësisë për çështjen e vëllait të Frrokut, për çështjen e vrasjes së Dritan Lamaj”, ka thënë Tahiri.
Edhe pse 36-vjeçari Durim Bami nga Fushë Kruja është prej kohësh i dyshuari kryesor për vrasjen e bujshme të bankierit, siç rezulton nga dëshmia e Ministrit të Brendshëm, ai nuk është proceduar asnjëherë për këtë krim. Policia dhe Prokuroria nuk kanë dërguar asnjë person në bankën e të akuzuarve pas më shumë se një viti hetimesh. Operacioni për kapjen e personave që ekzekutuan Artan Santon, ditën e vrasjes, u përqendrua në Fushë Krujë, pranë zonës ku banon Durim Bami, pasi aty i humbi gjurmët motori me të cilin u larguan vrasësit, raportojnë mediat në Shqipëri.